Konsulence mbi menaxhimin e mbeturinave
Raporti i Anketës për Hedhjen Ilegale të Mbeturinave
nga EYCD
31/03/2025

Ky raport I realizuar nga OJQ “EYCD” paraqet gjetjet e Anketës për Hedhjen Ilegale të MbeturinaveRajonin e Prizrenit, e realizuar në kuadër të Projektit për Menaxhimin e Mbetjeve – Faza 2, mbështetur nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA). Qëllimi kryesor i anketës ishte identifikimi, hartëzimi dhe vlerësimi i deponive ilegale, si dhe ndihma për komunat në përmirësimin e strategjive të menaxhimit të mbeturinave.

Anketa u zhvillua në katër komuna: Dragash, Suharekë, Malishevë dhe Rahovec, duke përdorur platformën Google My Maps për të regjistruar koordinatat gjeografike, vëllimin dhe llojin e mbeturinave të hedhura. Për shembull, vetëm në komunën e Rahovecit, gjatë një periudhe 9-ditore të hulumtimit në terren, u identifikuan 32 deponi ilegale, të cilat u kategorizuan sipas përmasave dhe llojit të mbeturinave.

Rezultatet e këtij studimi janë të rëndësishme për komunat, pasi ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi nivelin e ndotjes dhe ndihmojnë në zhvillimin e politikave efektive për menaxhimin e mbeturinave. Një aspekt inovativ i këtij projekti është harta interaktive, e cila lejon autoritetet komunale të ndjekin progresin e pastrimit dhe të përditësojnë informacionin në kohë reale.

Ky studim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së mjedisit dhe krijimit të hapësirave më të pastra dhe të qëndrueshme në rajonin e Prizrenit. Përmes tij, synohet ndërgjegjësimi i komunitetit dhe forcimi i bashkëpunimit midis institucioneve lokale dhe organizatave ndërkombëtare për një menaxhim më të mirë të mbeturinave.

Definicioni i Deponive Ilegale:?

Deponitë ilegale përkufizohen si çdo vend me mbetje që kalon 200 litra dhe është jashtë zonave të përcaktuara për depozitim.

Metodologjia e Ndjekur:

  • Mbledhja e të Dhënave: Të dhënat u mblodhën përmes vizitave fizike në terren dhe u regjistruan në platformën "My Maps" të Google.
  • Koordinatat Gjeografike: Çdo deponi u identifikua saktësisht sipas koordinatave gjeografike dhe u fotografua për dokumentim.
  • Klasifikimi i Mbeturinave: Vlerësimi i volumit dhe llojit të mbeturinave në secilën deponi.